Telegrafi

Arrestohet në flagrancë për marrje ryshfeti oficeri në Qendrën e Paraburgimit në Prizren

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se pas një hetimi disa mujor në koordinim me Drejtorinë e Hetimit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion –në Prishtinë, ka arritur të arrestojë në flagrancë personin me inicialet B.R., në cilësi të oficerit korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit”.

“I pandehuri B.R., dyshohet se ka mundësuar futjen e disa gjërave të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren për një person të paraburgosur. Me aktvendim të prokurorit, i pandehuri është ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor ndaj të njëjtit do të paraqitet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin. /Telegrafi/