Site icon Telegrafi

Arrestohet në Durrës autori i një atentati në Tiranë, i gjendet armë me vete

Policia e Durrësit ka arrestuar 33-vjeçarin Andrea Bregasi, i cili rezulton në kërkim, për vrasje me dashje, të mbetur në tentativë.

33-vjeçari është autori i dyshuar i atentatit të ndodhur në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, dhjetorin e kaluar, kur u qëllua ndaj një automjeti në lëvizje ku brenda ishin 3 persona. Fatmirësisht asnjë prej personave të ndodhur në mjet nuk mori lëndime serioze.

Bregasi është një person me precedentë të mëparshëm penal për grabitje me armë ku ka vuajtur edhe dënimin.

Gjatë momentit të ndalimit nga blutë e Durrësit atij iu gjet dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, që posedohej pa leje.

“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që lëvizte i armatosur në qytetin e Durrësit, Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, finalizoi operacionin policor të koduar “Precedenti”.

Gjatë këtij operacioni, në hyrje të një pallati në lagjen nr. 11, u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 33 vjeç, banues në Tiranë”, thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version