Telegrafi

Milan Radoiçiq arrestohet në Serbi, i caktohet ndalim prej 48 orësh

Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka bërë të ditur se Milan Radoiçiq është arrestuar sot dhe se i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë.

“Më 3 tetor 2023, zyrtarët policorë të Drejtorisë së Policisë Kriminale kanë bastisur banesën dhe pronat tjera të Milan Radoiçiqit, i cili do të mbahet deri në 48 orë”, njofton MPB e Serbisë, shkruajnë mediat në Serbi, përcjell Telegrafi.

Ata shtojnë se ai është dërguar në Prokurorinë e Lartë Publike në Beograd me kallëzim penal.

Lexo po ashtu Milan Radoiçiq shfaqet për herë të parë në publik pas sulmit terrorist në veri të Kosovës

Radojiçiq pranoi publikisht se ka marrë pjesë në sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku është vrarë një zyrtar policor.

Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.

Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua me armë zjarri më 24 shtator, nga një grup terroristësh serbë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Ndërkaq nga gjuajtjet me armë zjarri, Policia vrau tre pjesëtarë të grupit terrorist.

Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës është dënuar fuqishëm nga SHBA, BE dhe vendet e rajonit, ndërsa autoritetet në Kosovë janë zotuar se përgjegjësit e sulmeve terroriste do të dalin para drejtësisë.

Siç kujtojnë mediat në Serbi, përcjell Telegrafi, më 30 shtator, Radoiçiq iu përgjigj ftesës së autoriteteve shtetërore të Republikës së Serbisë dhe në cilësinë e qytetarit dha deklaratë në Ministrinë e Punëve të Brendshme për ngjarjet në Banjskë, më 24 shtator, në veri të Kosovës.

Lexo po ashtu Policia e Kosovës publikon të gjitha pamjet me dron të lëvizjeve të grupit terrorist serb para sulmit në veri

Më pas ai është shoqëruar nga avokati i tij në ambientet e MPB-së të Serbisë për të dhënë deklaratë si qytetar për rrethanat e ngjarjes tragjike në qytetin e Banjskës, mëngjesin e hershëm të së dielës, më 24 shtator 2023, njoftoi MPB-ja.

Radoiçiq përmes avokatit të tij Goran Petronijeviq të premten më 29 shtator ka njoftuar se ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme nga pozita e nënkryetarit të Listës Serbe dhe me rastin e ngjarjeve në Banjskë ka deklaruar se më 24 shtator, ai dhe bashkatdhetarët e tij erdhën në veri të Kosovës në zonën e atij fshati për, siç ka pretenduar ai “të inkurajuar popullin serb të asaj zone që t’i rezistojë terrorit të regjimit të Albin Kurtit”.

Sipas deklaratës së tij, çdo gjë e ka organizuar vetë, dhe nuk është konsultuar me autoritetet shtetërore të Serbisë e as me zyrtarët nga veriu i Republikës së Kosovës. /Telegrafi/