Telegrafi

Arrestohet mësuesi në Tepelenë i cili dyshohet se ngacmoi seksualisht dy të mitura

Foto: Ilustrim

Policia e Tepelenës ka vënë në pranga mëngjesin e së mërkurës një person (mësues) K.L, 59 vjeç nga Tepelena me akuzën e ngacmimit seksual të dy të miturave si dhe për akuzën “kallëzim i rremë”.

59-vjeçari u plagos 2 ditë më parë në Tepelenë nga tre persona të cilët e goditën me grushta dhe mjete të forta pasi e kanë tërhequr më parë brenda mjetit të tyre.

Policia ndaloi të martën një prej autorëve të sulmit ndaj 59 vjeçarit i cili rezultoi se ishte vëllai i njërës nga të miturat e ngacmuara seksualisht.

Sipas Policisë së Shtetit, 29 vjeçari u ndalua për plagosje të lehtë me dashje nën akuzën e vetëgjyqësisë. Ishte ai që ka denoncuar ngacmimin e së motrës në polici pas ndalimit.

Ndalimi i mësuesit 59 vjeçar sipas policisë u bë pasi nga kallëzimet e marra në lidhje me këtë rast, dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht 2 shtetase të mitura.

Materialet procedurale për rastin i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Gjirokastrës. /Telegrafi/