Telegrafi

Arrestohet kushëriri i Ervis Martinajt

Kushëriri i Ervis Martinajt është arrestuar nga efektivët e Komisariatit nr. 2 në Tiranë për mashtrim.

Sipas policisë, ndalimi i shtetasit Emiljano Nina, 27 vjeç, banues në Tiranë, u bë pas kallëzimit të dy shtetasve se u ka marrë nëpërmjet mashtrimit, një automjet tip “Smart”.

Euronews Albania mëson se verifikimet vazhdojnë pasi Nina rezulton një person me precedent të mëparshëm penalë dhe ishte shpallur në kërkim.

Por kush është Emiliano Nina?

27-vjeçari është një person me precedentë penalë dhe i njohur për autoritetet vendase. Ai mbahet që nga vrasja e Enton Nikës, ngjarje e ndodhur në Linzë, më 11 nëntor të vitit 2015. gjithçka nisi për para me fajde.

Nina mbërriti në Linzë, pranë lokalit me emrin ‘Muraga’, i shoqëruar nga kushëriri i tij Ervis Martinaj, Mirsad Kuçan dhe Bujar Hasani Lika (tashmë i ndjerë).

Të katërt kërkonin Ismet Gaxherrin, pronarin e lokal ‘Muragës’, i cili u kishte para borxh. Mes tyre ndërhyri dhe Enton Nika e në momentin që Nina qëlloi me armë zjarri e vrau 30-vjeçarin e plagosi Gaxherrin. Dosja u mbyll dhe Nina u dënua, por problemet s’i la mënjanë.

Në vitin 2018, i riu që në atë kohë ishte 23 vjeç tronditi pushuesit në Dhërmi pasi qëlloi me armë zjarri në një klub natën. Ai qëlloi katër herë, por nuk la të lënduar. E gjithë ngjarja, sipas bluve në atë kohë, ndodhi pas një sherri mes Emilianos dhe një tjetër personi, për konflikte të hershme mes tyre.

Emiliano (Nina) Tasho është gjithashtu i përfshirë edhe në vjedhje. Më datë 30.09.2015 dhe më datë 12.03.2014, Nina marrë pjesë në dy vjedhje me armë zjarri. Njëra ishte grabitje në një supermarket.