Site icon Telegrafi

Arrestohet ish-ministri Numan Baliq, dyshohet se ngacmoi seksualisht një vajzë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq është arrestuar  nga Policia nën dyshimin se i njëjti në vendin e tij të punës  në Spitalin e Pejës, ka sulmuar seksualisht një 23-vjeçare.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Lidhur me rastin në fjalë është ndaluar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale sulm seksual në spitalin regjional të Pejës. Me urdhër të prokurorit është dërguar në ndalim 48-orësh, gjithashtu prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë veprime lidhur me këtë çështje”, ka thënë Nikçi.

Lidhur me këtë rast ka raportuar edhe Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh.

“Rr. Nëna Terezë, Pejë 12.08.2020-22:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull nën dyshimin se i njëjti e ka sulmuar seksualisht viktimën femër. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48-orë”, thuhet në raportin e policisë.

Ish-ministri Numan Baliq kohë më parë ishte liruar nga akuza për ngacmim seksual ndaj një punonjëse në spitalin ku punon.

Prokuroria Themelore e Pejës kishte ngritur aktakuzë për këtë vepër ndaj Baliqit, me çka dyshohej se nga muaji gusht i vitit 2018 në vazhdimësi e ka ngacmuar praktikanten e Spitalit Rajonal të Pejës duke i shkruar mesazhe me përmbajtje ngacmimi në telefon dhe duke i dërguar edhe letra.

Pas këtij rasti, Baliq ishte suspenduar nga puna. /Telegrafi/

Exit mobile version