Telegrafi

Arrestohet ish-kryetari socialist i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako dhe nëntë ish-zyrtarë

Prokuroria e Posaçme raportohet se ka firmosur urdhërarrest për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Durrësit. Pak kohë pas daljes së urdhërarrestit, Vangjush Dako u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Personat në fjalë akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, për një leje ndërtimi të dhënë para 11 viteve. Gazetarja thotë se në total bëhet fjalë për 10 urdhërarreste që janë firmosur nga gjykata, 7 arrest me burg dhe 3 arrest në shtëpi.

Në mesin e të arrestuarve gazetarja Daci mëson se janë edhe Adhurim Qehajaj, ish-drejtor i Urbanistikës, dhe Lira Kërtusha, juriste pranë Urbanistikës. Po ashtu urdhërarreste janë lëshuar për; Adi Limeta, Roza Kovaçi, Edlira Kertusha, Adnand Tocila, Fiqir Farruku (ndërtues).

Sa i përket Dakos, gazetarja thotë se ai akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste. Rasti i parë lidhet me lejen e ndërtimit të një pallati në Durrës. Sipas Dacit, leja e parë e ndërtimit është dhënë në vitin 2012 dhe është zbardhur me dy vite vonesë, në 2014, që i është dhënë edhe një leje e dytë. Punimet për ndërtimin e objektit kanë nisur përpara se të zbardhej leja. Janë 4 kate shtesë të cilat janë jashtë lejes.

Rasti i dytë lidhet me një tender për blerje projekti të bërë nga Bashkia Durrës në vitin 2014-2015 me vlerë fillestare 20 milion lekë dhe më pas është dyfishuar në 220 milion lekë të vjetra. Në rastin konkret SPAK e akuzon Dakon për shpërdorim detyre pasi nuk i kanë hyrë procedurës së prokurimit, por bashkia ka 10 fishuar vlerën./Tv Klan