Telegrafi

Duke protestuar, arrestohet live ish-kryeministri sllovak

Ish-kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico u arrestua për organizimin e një proteste kundër qeverisë në Bratislavë, të cilën policia e ndaloi për shkak të masave epidemiologjike në fuqi.

Në një deklaratë të policisë thuhet se Fico u arrestua pak para demonstratave të planifikuara në qendër të Bratislavës, raporton dw.

Në fund të nëntorit, qeveria miratoi masa të rrepta epidemiologjike dhe ndër të tjera u ndalua çdo tubim i më shumë se gjashtë personave.

Fico i humbi zgjedhjet parlamentare vitin e kaluar dhe që atëherë ka kritikuar ashpër qeverinë për masat e rrepta epidemiologjike që po merr dhe është një nga kundërshtarët më të zhurmshëm të vaksinimit.

Ai kërkoi shpalljen e një referendumi në të cilin qytetarët do të vendosin nëse do të organizohen zgjedhje të parakohshme, gjë e cila u mbështet me një peticion prej 585 mijë vetash, por Gjykata Kushtetuese vendosi se nuk ishte në përputhje me Kushtetutën. /Telegrafi/