Site icon Telegrafi

Arrestohet ish-drejtori i kadastrës në Durrës, në kërkim tre zyrtarë

Ish-drejtuesi i kadastrës së Durrësit, Ardian Kona, është arrestuar këtë të mërkurë nga policia. Arestimi i 52-vjeçarit është bërë me urdhër të prokurorisë së Durrësit, pas një hetimi të lidhur me regjistrimin e një prone me dokumente false.

Gjithashtu në kërkim janë shpallur dhe 3 zyrtarë të tjerë të Kadastrës, të cilët akuzohen për veprën penale të Shpërdorimit të detyrës.

Ata janë shtetasit B. Z., 42 vjeç, dhe L. D., 34 vjeç, banues në Durrës, si dhe A. D., 44 vjeç, banues në Tiranë. Ky i fundit akuzohet gjithashtu për “Falsifikim dokumentesh”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

“Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin A. K., 52 vjeç, banues në Durrës (ish-drejtues në ASHK Durrës), për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Masa e sigurisë i është caktuar nga Gjykata e Durrësit, më datë 19.11.2024, në kuadër të një hetimi për regjistrimin e një prone, me dokumente false.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e 3 shtetasve për të cilët Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, konkretisht:

B. Z., 42 vjeç, banues në Durrës dhe L. D., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe A. D., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”’, njofton policia.

Exit mobile version