Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) ka njoftuar për arrestimin e dy personave në pasojë të një operacioni të koordinuar hetimor në Mitrovicë jug.
Sipas DHKEK, dy të dyshuarit, përfshirë një zyrtar-inspektor të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe një qytetar, janë arrestuar pas dyshimeve për përfshirje në marrje dhe dhënie ryshfeti.
Informacionet e marra nga burime operative çuan në fillimin e një hetimi që implikonte një inspektor të ATK-së, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare në terminalin Doganor në Mitrovicë.
Hetuesit vënë në dukje se inspektori dyshohet se ka pranuar një shumë të hollash nga një qytetar për të lehtësuar procedurat doganore të kontrollit.
“Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka punuar në mënyrë të palodhur për të siguruar provat e nevojshme për të mbështetur akuzat”.
Gjatë operacionit, i cili u krye në bashkëpunim të ngushtë me zyrtarë të Policisë Kufitare, u zbuluan dëshmi konkrete që lidhin të dyshuarit me veprën penale.
“Dëshmitë u siguruan në vendngjarje, ku para të gatshme të ofruara si ryshfet iu gjetën në xhepin e zyrtarit të ATK-së.
Të dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin e policisë për intervistim, nën mbrojtjen e avokatëve të tyre.
Pas përfundimit të intervistave, prokurori kompetent është njoftuar dhe ka vendosur ndalimin policor për 48 orë për të dyshuarit, për të vijuar hetimet dhe për të vendosur hapat e mëtejshëm ligjorë./Telegrafi/