Gazetarja që filmoi videon e fundit të liderit opozitar rus, Alexei Navalny, pak para se ai të vdiste, është arrestuar nga autoritetet ruse.
Antonia Favorskaya ka mbuluar gjyqet e Navalnyt për disa vite dhe tani ajo është një nga gjashtë gazetaret e arrestuara vetëm këtë muaj.
Bëhet e ditur se ajo akuzohet për postim në platformat e “organizatës ekstremiste”, Fondacioni i Navalnyt Kundër Korrupsionit, ka njoftuar grupi rus i të drejtave të njeriut, OVD-Info.
Këto akuza janë mohuar nga zëdhënësja e opozitarit rus, Kira Yarmysh, e cila tha se Favorskaya nuk ka publikuar asgjë në platforma, por ajo po ndiqet nga autoritetet ruse shkaku i profesionit të saj si gazetare.
Ndryshe, gazetarja fillimisht është arrestuar më 17 mars pasi ka vendosur lule në varrin e Navalnyt, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Ajo ka kaluar 10 ditë në burg nën akuzat për mosbindje ndaj policisë, por kur ajo periudhë ndalimi përfundoi, autoritetet e akuzuan përsëri.
Favorskaya cilësohet si një nga gazetaret ruse të shënjestruara nga qeveria e vendit si pjesë e një goditjeje gjithëpërfshirëse kundër disidencës në Rusi.
Por, përveç saj të arrestuar janë edhe Alexandra Astakhova, Anastasia Musatova, Ekaterina Anikievich dhe Konstantin Yarov.
“Më goditën, më përdredhën gishtat, më tallën kur u përpoqa të ngrihesha, më kërkuan të tregoja çantën time sikur të kisha eksploziv aty”, tha Yarov për kohën sa ishte në paraburgim.
Këto arrestime dhe tortura vijnë pasi Fondacioni i Navalnyt kundër Korrupsionit cilësohet si organizatë ekstremiste nga shteti rus, që do të thotë se njerëzit e lidhur me të mund të përballen me burgosje. /Telegrafi/