Site icon Telegrafi

Arrestohet ferizajasi, e rrahu dhe e mbajti tri ditë të mbyllur të dashurën

Foto: Ilustrim

Një person është arrestuar sot në Ferizaj, pas i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj të dashurës së tij, të cilën e kishte mbajtur tri ditë mbyllur në dhomë të shtëpisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se “sot, rreth orës 11:30 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën ‘Enver Topalli’ në Ferizaj është një rast i dhunës në familje dhe lëndimit trupor”.

Në lidhje me këtë policia menjëherë i ka marr veprimet e nevojshme dhe ka dalë në vendin e ngjarjes.

Në njoftim thuhet se në rast janë kyçur Njësia e Dhunës në Familje, të cilët kanë arrestuar 29-vjeçarin A.SH., i cili dy ditë më parë, shkak i një mosmarrëveshje i kishte shkaktuar lëndime trupore të dashurës së tij M.A (të moshës 30 vjeçare) dhe e kishte mbajtur të mbyllur për tri ditë radhazi në dhomën e shtëpisë, transmeton Telegrafi.

Sipas Policisë, viktima M.A. kishte arritur t’ i njoftojë fqinjët e saj dhe këta më pas kishin lajmëruar policinë.

“Viktima është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa policia të dyshuarin e ka shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit policor, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i dyshuari A.SH është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar ‘Dhunë në Familje dhe Lëndim i lehtë trupor’”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version