Telegrafi

Arrestohet edhe personi i dytë i përfshirë në përleshjen e djeshme në Prishtinë, ku u plagos një i mitur

Foto: Arkiv

Policia ka arrestuar edhe personin e dytë të përfshirë në rastin e djeshëm të përleshjes mes nxënësve në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i dytë.

Ahmeti shtoi se dy të arrestuarit janë dërguar në gjykatën përkatëse.

“Sot është identifikuar dhe arrestuar edhe personi i dytë i përfshirë në këtë rast. Personat e arrestuar pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore janë dërguar në gjykatën përkatëse”, tha ajo.

Ndryshe, një rrahje mes tre nxënësve ka ndodhur dje gjatë ditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Gjatë përleshjes janë përdorur edhe mjete të mprehta(thikë), ku si pasojë një i mitur ka pësuar lëndime trupore.

Lajmin për Telegrafin e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Lexo po ashtu Përleshje në Prishtinë pas testit të arritshmërisë, një nxënës theret me thikë

“Sot rreth orës  14 :00, kemi marrë informatën se  lagjen Ulpiana në Prishtinë,  ka ndodhur një  përleshje fizike në mes të disa personave (të mitur). Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është plagosur një person. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor”, njofton PK-ja.

Lexo po ashtu Dhuna në shkollën “Hasan Prishtina”, reagon deputeti Bekë Berisha

Hetuesit  policor kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti.

Në lidhje me këtë ka reaguar sot edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha, kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë në Kuvendin e Kosovës, i cili ka bërë thirrje që të ndalet dhuna nëpër shkolla. /Telegrafi/