Telegrafi

Arrestohet edhe një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje

Policia e Kosovës sot ka arrestuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ramadan Deliu, derisa mbahej një tubim në Mitrovicë.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Policia ka provokuar pjesëmarrësit në tubim, duke intervenuar brenda për të arrestuar këtë aktivist.

Vetëvendosje thotë se Policia e Kosovës e ka arrestuar aktivistin Ramadan Deliun me arsyetimin se i njëjti mori pjesë para 7 vjetësh në një aksion politik kundër EULEX-it.

Me anë të një postimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se arrestimet politike, kërcënimet dhe deportimet e aktivistëve po shfaqin natyrën e dhunshme të regjimit në Kosovë, dhe po e provokojnë jashtëzakonisht shumë situatën.

“Policia e Kosovës sapo arrestoi aktivistin e VETËVENDOSJE!-s, Ramadan Deliu, i cili ishte duke marrë pjesë në një tubim në Mitrovicë. Policia provokoi pjesëmarrësit në tubim, duke intervenuar brenda tubimit për të arrestuar këtë aktivist, “faji” i të cilit ishte se mori pjesë para 7 vjetësh në një aksion politik kundër EULEX-it. Arrestimet politike, kërcënimet, deportimet e aktivistëve, po shfaqin natyrën e dhunshme të regjimit në Kosovë, dhe po e provokojnë jashtëzakonisht shumë situatën. Kjo situatë e dhunës policore po bëhet e padurueshme dhe çdo tensionim i mëtutjeshëm do të jetë në përgjegjësinë e Isa Mustafës”, thuhet në njoftimin e VV-së.