Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Ferizaj ditën e hënë, ku një person sulmoi me thikë katër persona në tri lokacione të ndryshme të qytetit.
Mirëpo, lidhur me rastin, Policia fillimisht ka arrestuar një person, e i cili më pas është liruar pasi ka rezultuar se ai u arrestua gabimisht.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Vjosa Baftiu, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
“Ditën e hënë është arrestuar një person por më pas është liruar, pasi nuk ka qenë ai i dyshuari. Sot gjatë ditës është arrestuar i dyshuari tjetër, i cili është dërguar në mbajtje. Ndaj tij është iniciuar rasti ‘”Vrasje e rëndë në tentativë'”, tha ajo.
Gjithashtu, Baftiu ka bërë të ditur se i dyshuari më herët ka qenë në burg, i dënuar për vrasje.
I dyshuari është me inicialet F.I, viti i lindjes 1962.
Ndryshe, viktimat e sulmit janë duke u trajtuar në QKUK dhe Spitalin e Ferizajt.
Sulmin e ka dënuar edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili ka pohuar se lajmi për therjen e qytetarëve është tronditës.
“Tronditës, lajmi për therjen e 4 qytetarëve – kalimtarë rasti në Ferizaj, dy prej të lënduarve të moshës minore e dy të tjerë të moshës madhore. Kryesi i këtij akti kriminal, brenda pak minutave është vënë nën prangat e Policisë. Tani drejtësia do të thotë fjalën e saj. /Telegrafi/