Policia e Kosovës njoftoi të martën se ka arrestuar të dyshuarin e pestë për tentim-grabitjen e ndodhur gati para një viti në Prizren, ku ishin plagosur babë e bir.
Sipas njoftimit, më 15 nëntor të vitit 2021 disa persona të armatosur kanë tentuar që të grabisin një argjendari.
Pronarët kanë rezistuar dhe të dyshimtët janë larguar nga vendi pa arritur që të grabisin argjendarinë.
Gjatë përleshjes dy viktimat, babë e birë (pronarë të argjendarisë) janë plagosur me armë zjarri.
“Të dyshimtët pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes, në dalje të Prizrenit i kanë vënë zjarrin automjetit të tyre dhe e kanë grabitur një automjet tjetër. Gjatë ikjes të njëjtin kanë shkëmbyer zjarr edhe me Policin në hyrje të autostradës në Suharekë”, thuhet në njoftimin për media.
Pastaj, automjeti i grabitur ishte gjetur i djegur në fshatin Murg.
“Policia ka mbledhë provat dhe dëshmitë dhe pas disa ditësh katër të dyshuar janë identifikuar arrestuar, ndërsa sot është arrestuar personi i pestë i dyshuar për dhënie të ndihmës”. /Telegrafi/