Telegrafi

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e policit Shemsi Gashi – dëshmitar në rastin e Astrit Deharit

Policia e Kosovës sot ka arrestuar  Adonis Gashin, i dyshuar për vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Shemsi Gashi.

Kështu ka mësuar Telegrafi nga burime.

I njëjti është dëshmitar edhe në rastin e Astrit Deharit.

Adonis Gashi, kishte ndarë të njëjtën qeli me Astrit Deharin në burgun e Prizrenit.

Lexo po ashtu Tomë Gashi konfirmon se është zhdukur Adonis Gashi, ai kishte qëndruar në të njëjtën qeli me Astrit Deharin

Gashi më shumë se një vit më parë nuk ishte paraqitur në stacionin policor në Prizren për të dhënë dëshminë e tij lidhur me vdekjen e Deharit.

Lajmin e kishte konfirmuar për Telegrafin, avokati mbrojtës i familjes Dehari, Tomë Gashi.

“Për Adonis Gashin është lëshuar një fletë-arrest nga Policia e Kosovës, ai është në ikje, ai do të duhej të intervistohej tani kur po intervistohen policët e gardianët”, tha Gashi.

Avokati theksoi se për zhdukjen e tij është informuar nga Policia e Kosovës.

Hetimet për rastin Dehari janë duke vazhduar pasi që Instituti zviceran në raportin përfundimtar nuk ka përjashtuar mundësinë që Astrit Dehari të jetë vrarë.

Hetimet kanë rinisur gjatë muajit dhjetor të vitit 2019, në mesin e të intervistuarve është edhe ish- komandanti regjional i Policisë së Kosovës, Nexhmi Krasniqi, të tjerët janë gardianë të qendrës së paraburgimit në Prizren si dhe stafi mjekësor.

Ndryshe, rreshteri Shemsi Gashi u vra mëngjesin e 25 marsit 2015 rrugës për në zyrën e tij.

Lexo po ashtu Gjykimi për vrasjen e oficerit të policisë, jepet fjala përfundimtare

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

Gashi u vra në lagjen “Mati” të Prishtinës. /Telegrafi/