Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një 36-vjeçar nën dyshimin për vrasje në tentativ në një lokal në Prishtinë.
Sot nga njësiti i hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, është arrestuar një person i dyshuar për veprën vrasje në tentativë.
Ngjarja ka ndodhur me datën 08.01.2023, në lagjen Emshir, në Prishtinë, saktësisht në një lokal ku nga arma e zjarrit është plagosur një person.
“Hetuesit rajonal kanë ndërmarrë menjëherë veprime operative e hetimore të cilat kanë rezultuar me identifikimin e dy personave të dyshuar, si dhe arrestimin e njërit prej tyre”.
Personi i arrestuar është I. Q, mashkull 36 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me vendim të prokurorit të shtetit, i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Te personat e njëjtë janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, një karikator, 14 fishekë dhe një thikë.
Hetuesit janë në kërkim të personit të dytë të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati./Telegrafi/