Policia e Kosovës këtë të premte ka arrestuar një person në Gjilan, pasi dyshohet për shitblerje të narkotikëve.
Sipas njoftimit, i njëjti gjatë veprimtarisë së shpërndarjes së lëndëve narkotike (kokainës), me qëllim që të mos bije në sy të policisë, ka përdorur një shtëpi me qira dhe njëkohësisht ka shfrytëzuar vetura nga ‘rent a car’.
“Policia e Kosovës gjatë trajtimit të rastit ka ardhur tek konstatimi se i dyshuari, E. F., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar), me veprimet e tij ka konsumuar veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’. Sot, më 22.09.2023, policia ka arrestuar personin e dyshuar”, thuhet në komunikatën për media.
Në koordinim me organet e drejtësisë është bërë kontrolli i banesës së të dyshuarit, ku janë konfiskuar 6.4 gramë substancë, që dyshohet të jetë kokainë, 1.5 gramë, dyshohet të jetë marihuanë, para të gatshme, një veturë dhe pesë telefona celularë.
“Në konsultim me prokurorin kompetent, i njëjti ka urdhëruar që pas intervistimit i dyshuari të ndalohet për 48 orë”, bëhet e ditur tutje. /Telegrafi/