Telegrafi

Lirohet Dardan Molliqaj

(E plotësuar) Dardan Molliqaj është liruar. Deputeti i PSD-së ishte arrestuar sot herët në mëngjes me një urdhër arrest lëshuar nga Gjykata.

Lajmin për lirimin e Molliqajt e ka konfirmuar zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.

“Rasti ishte dërguar në Prokurori. Deputeti Molliqaj tashmë është liruar me procedurë të rregullt”, ka thënë zëdhënësja e PSD-së për kp.

Sipas Policisë, gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar dje një urdhër arrest për Dardan Molliqajn.

Ai është arrestuar në lidhje me pjesëmarrjen në protestë pas arrestimit të liderit të VV-së, Albin Kurti, në vitin 2015.

Molliqaj në atë kohë ka qenë sekretar organizativ dhe njëri ndër njerëzit kryesorë në VV.

—————————————————————-

Arrestohet Dardan Molliqaj, PSD jep detajet

Partia Socialdemokrate ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka arrestuar sot në orët e hershme të mëngjesit deputetin Dardan Molliqaj.

Sipas njoftimit të PSD-së, ai është arrestuar në banesën e tij dhe nuk ka qenë i paralajmëruar më herët për seancë apo paraqitje ne gjykatë.

“Molliqaj është arrestuar nën arsyetimin për pjesëmarrje në protestën për lirimin e deputetit Albin Kurti, në vitin 2015. Arrestimi i deputetit në fjalë ka qenë në kundërshtim me liritë dhe të drejtat e njeriut dhe në shkelje të plotë të procedurave ligjore. Për këtë arsye, ajo protestë ka qenë e drejtë dhe e nevojshme”, thuhet në njoftimin e PSD-së.

Kështu, Partia Socialdemokrate kërkon lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj.

“PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, përfundohet në reagimin e PSD-së. /Telegrafi/