Telegrafi

Arrestohet bashkëshorti i ish-kryeministres skoceze Nicola Sturgeon

Burri i ish-kryeministres skoceze Nicola Sturgeon, Peter Murrell, është arrestuar gjatë një hetimi për përdorimin e fondeve në Partinë Kombëtare skoceze.

Hetimi filloi pas ankesave për trajtimin e 600 mijë funteve në donacione nga partia, që dyshohet se kishte mbledhur për të bërë fushatë dhe për të mbajtur një referendum të dytë të pavarësisë.

Siç raporton Guardian, paratë dyshohet se janë përdorur për të ndihmuar me shpenzimet e përditshme të partisë, transmeton Telegrafi.

“Një 58-vjeçar është arrestuar sot, si i dyshuar në lidhje me një hetim në vazhdim për financimin e Partisë Kombëtare skoceze”, ka njoftuar policia skoceze.

“Ai është në paraburgim dhe po merret në pyetje nga detektivët e policisë skoceze. Si pjesë e hetimeve, po ashtu oficerët po kryejnë kontrolle në disa adresa. Duke qenë se hetimet janë në vijim, nuk mund të komentojmë më tej”, tha ndër tjera policia. /Telegrafi/