Site icon Telegrafi

Arrestohet aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani

Aktivisti i PSD-së, Adem Megjuani është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, lidhur me protestën që u mbajt të shtunën kundër shtrenjtimit të rrymës.

Kështu ka bërë të ditur PSD përmes një njoftimi për media, derisa ka kërkuar që i njëjti të lirohet.

“Në orën 9:00, aktivisti Adem Megjuani i është përgjigjur thirrjes së policisë për intervistim lidhur me incidentin që ndodhi në protestën kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Të njëjtit prokurori i rastit i ka shqiptuar masën e ndalimit prej 48 orëve. Kjo masë nuk i përmbush asnjërën prej kushteve të parapara me Kodin e Procedurës Penale për shqiptimin e saj. Mënyra se si ka vepruar prokurori i rastit përbën abuzim të pushtetit të tij e shkelje të të drejtave të aktivistit tonë”, thuhet në njoftim.

PSD thekson se jo proporcionaliteti i veprimeve të prokurorisë është proporcional vetëm me nevojën e pushtetit për të disiplinuar veprimet opozitare të PSD-së.

“Partisë-shtet i ka penguar pjesëmarrja masive e njerëzve në protestë. Menjëherë nisën me gjueti shtrigash. Sot kanë vazhduar me arrestime. Propaganda policore që kishte për qëllim ta kriminalizoj një protestë paqësore, po përkthehet me përndjekje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version