Një 37-vjeçar me inicialet B.U është arrestuar pasi ishte në kërkim që nga 17 maji i këtij viti për vrasje në tentativë.
Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari u identifikua dhe u arrestua nga Sektori Rajonal i Hetimeve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me njësitë e tjera policore nga Drejtoria e Përgjithshme. Policia bën të ditur se i dyshuari u lokalizua dhe u arrestua në Fushë-Kosovë.
“I dyshuari ishte i kërkuar për dyshime se më 17 maj 2024 në fshatin Nashec, Prizren, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër, duke shkaktuar lëndime nga plumbat e armës së zjarrit,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjithashtu bëhet e ditur se personi në fjalë është i dyshuar edhe për disa vepra të tjera për të cilat ishte në kërkim policor./Telegrafi/