Policia e Pogradecit ka vënë në pranga një 29-vjeçar në banesën e të cilit është gjetur një kallëp lëndë shpërthyese tritol dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh luftarakë.
I arrestuari është shtetasi Ervin Duka nga fshati Guras i Pogradecit. Në banesën e tij u gjet tritol dhe 85 copë fishekë, që 29-vjeçari zotëronte pa lejen e organeve kompetente.
I riu nuk është një emër i panjohur për autoritetet shqiptare të sigurisë. Ai është në listën e personave me rrezikshmëri të lartë, pasi dyshohet për aktivitet terrorist.
29-vjeçari rezulton mes emrave që dyshohet se kanë udhëtuar drejt Sirisë për t’iu bashkuar militantëve të ISIS-it, madje në 2014 ai besohet se është plagosur në luftime atje dhe më pas është rikthyer në Shqipëri.