Telegrafi

Arrestohet 14-vjeçari vetëm pse vallëzoi me këngën “Macarena” në mes të udhëkryqit (Video)

Një djalë 14-vjeç nga Arabia Saudite është arrestuar pasi që në rrjetin social Twitter, është shfaqur një video ku shihet ai duke vallëzuar “Makarenën” në udhëkryq në qytetin Jeddah.

Megjithatë, sipas raporteve të fundit, ai më vonë është liruar, transmeton Telegrafi.

Në video mund të shihet se ky djalosh në mes të rrugës Princi Mohamed bin Abbdul Aziz, shfaq talentin e tij për vallëzim duke i bërë disa lëvizje të inspiruara nga hiti i viteve të  ’90-ta, derisa veturat prisnin që të ndizet drita e gjelbër.

Reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet në rrjetet sociale: bashkëkombësit e tij kanë dënuar veprimin e tij duke thënë se nuk ka treguar respekt, derisa disa tjerë për shkak të kreativitetit dhe guximit e kanë quajtur hero.

Edhe pse videoja është bërë virale në internet, nuk dihet saktë se kur është filmuar.

Ministria e Punëve të Brendshme e Arabisë Saudite, ka njoftuar sot se 14-vjeçari është liruar nga burgu.

Sipas tyre adoleshenti është liruar, pasi ai dhe avokati i tij kanë nënshkruar një dokument me të cilin zotohen se nuk do ta përsërisin veprimin. /Telegrafi/