Rreth një javë më parë në shkollën “Hoxhë Kadri Prishtina” në Bresje të Fushë Kosovës ishin vjedhur ditarët e shkollës.
Në lidhje me këtë vjedhje, Policia e Kosovës kanë arrestuar sot tre të dyshuar, të cilat dyshohet se kishin vjedhur dhjetë ditar.
Agron Borovci, zëdhënës në Policinë e Kosovës për rajonin e Prishtinës ka bërë të ditur se pas identifikimit të të dyshuarve janë gjetur edhe ditarët.
“Policia e rajonit të Prishtinës respektivisht hetuesit e stacionit policor të Fushë Kosovës kanë arrestuar sot tre persona lidhur me vjedhjen e ditarëve të shkollës “Hoxhë Kadri Prishtina” në Bresje të Fushë Kosovës. Rasti është denoncuar në polici më datë 22.03.2021 nga ana e zyrtarëve të shkollës ku sipas tyre ishin vjedhur dhjetë ditarë. Policia menjëherë pas denoncimit kishte nisur një hetim për ndriçimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e të dyshuarve”, njoftoi Borovci.
Ai tha se “Progresi i hetimit të rastit ka rezultuar sot me identifikimin dhe arrestimin e tre të dyshuarve për të cilët dyshohet me bazë të jenë të implikuar në rastin në fjalë si dhe lokalizimin e vendndodhjes dhe gjetjen e ditarëve të vjedhur”.
“Ndërkohë që janë kryer veprimet hetimore të kësaj faze si dhe ato operativo-policore në përputhje me rekomandimin e prokurorit të shtetit të dyshuarit janë proceduar më tej”, tha ai. /Telegrafi/