Site icon Telegrafi

Arrestohen tre persona të dyshuar për grabitje të armatosur

Foto: Ilustrim

Njësitet policore të rajonit të Prishtinës, në kuadër të punës së tyre të vazhdueshme për  garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjen e  individëve, grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.

Një nga këto operacione të Njësitit të Hetimeve të Përgjithshme, ka filluar dje, ku fillimisht është arrestuar një person i dyshuar F. G, mashkull, 17 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës për të cilin dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në një rast të të grabitjes së armatosur, që ka ndodhur me datën 18.03.2018 në Hajvali – Prishtinë.

Rasti ka ndodhur në një shtëpi, ku viktimës nën kërcënimin e armës nga persona të armatosur dhe maskuar i janë marrë para të gatshme.

Konform kompetencave policore me autorizim të prokurorit të shtetit, është bërë bastisje në një lokacion, ku policia ka gjet dhe konfiskuar: një pistoletë Ecol Special e kalibrit 9mm, një karikator dhe dy fishekë.

Për po të njëjtin rast, hetuesit rajonal kanë vazhduar aksionin e tyre edhe sot, aksion ky që ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e dy personave të tjerë të dyshuar: L. K, mashkull, 18 vjeç  dhe H. P, mashkull, 20 vjeç.

Personat e arrestuar me urdhër të prokurorit janë dërguar në qendrën rajonale të mbajtjes në Prishtinë, për përfundimin e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e procedurale para se rasti t’i kaloj gjykatës. /Telegrafi/

Exit mobile version