Njësitet policore të rajonit të Prishtinës, respektivisht specialist të Njësisë për hetimin e krimeve, në kuadër të punës së tyre për parandalimin e veprave të paligjshme si dhe të dokumentimit të veprimtarisë kriminale të autorëve të veprave penale të enjten kanë përfunduar një operacion i cili ka rezultuar me arrestimin e tre personave që dyshohet me bazë të jenë të përfshirë në një rast të grabitjes që ka ndodhur në muajin korrik të këtij viti në fshatin Dumosh të Podujevës.
Rasti ka ndodhur me datën 07.07.2017, në fshatin Dumosh të Podujevës, ku personat e dyshuar pasi kanë lidhur viktimat, ku përfshihen edhe fëmijë (me ngjitës trakë) dhe nën kërcënimin e armëve kanë arrit që nga shtëpia e viktimave të marrin një shumë të konsiderueshme parash, sasi të stolive të arit, një veturë të tipit Ford Focus si dhe gjësende të tjera me vlerë.
Aksioni i policisë për arrestimin e personave të dyshuar ka filluar më 05.10.2017, kur është arrestuar personi i parë i dyshuar: B. Zeneli, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, personat tjerë të dyshuar: F. Sejdiu, 41 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe R. Islami, 26 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, janë arrestuar me datën 15, 16 nëntor 2017 dhe po ashtu ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orëve, ndërkohë që hetuesit policor bashkërisht me Prokurorinë e shtetit janë duke bashkërenduar veprimet e tyre hetimore për të ndriçuar edhe ndërlidhjen eventuale të këtyre personave me raste të tjera të të njëjtës natyrë.