Policia ka arritur t’i arrestojë tre persona të dyshuar për sulmin fizik ndaj gazetarit Valon Syla.
Këtë e ka bërë të ditur minsitri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes llogarisë së tij në Facebook.
“Pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar tre sulmuesit e gazetarit Valon Syla”.
“Përgëzoj Policinë e Kosovës për përkushtimin dhe profesionalizmin që garanton siguri për të gjithë si dhe sundim të rendit dhe ligjit”, ka shkruar Sveçla.
Për arrestimin ka reaguar edhe Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale njofton se pas një angazhimi intensiv të hetuesve të Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Kundër Terrorizmit, është arritur që të identifikohen tre (3) të dyshuar me inicialet L.D, K.H dhe O.H. si dhe të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.
“Tre të arrestuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje, si dhe brenda afateve ligjore do të kërkohet caktimi i masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, gazetari Valon Syla pretendon se sulmi mund të ketë lidhje me reagimet e tij rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK.
Syla i përshkruan tre të dyshuarit “në dukje islamik fanatik”.
Për rastin në fjalë, pati reagime të ashpra të shoqërisë civile, liderëve institucionalë, e Bashkimit Evropian./Telegrafi/