Telegrafi

Arrestohen të dyshuarit për rrëmbimin e gruas në Fushë Kosovë

Foto: Ilustrim

Policia ka arrestuar dy personat e dyshuar, të cilët kanë rrëmbyer sot një grua në Fushë Kosovë, duke e futur me forcë në një veturë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Arrestimin e të dyshuarve e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Kanë qenë aksioni i shpejtë i policisë si dhe bashkëpunimi i ngushtë me qytetarët dhe mediat, reagime këto  që kanë rezultuar me identifikimin e shpejtë të personave të përfshirë në këtë ngjarje, të cilët aktualisht ndodhen në stacion policor ku po intervistohen”, ka thënë Ahmeti për Telegrafin.

Lexo po ashtu Publikohen pamjet, policia konfirmon rrëmbimin e një gruaje në Fushë-Kosovë (Video)

“Hetuesit policorë në  koordinim me institucionet kompetente janë duke punuar me qëllim të sqarimit të do rrethane që lidhet me këtë ngjarje, e cila sipas hetimeve të zhvilluara deri tani dyshohet të jetë një mosmarrëveshje familjare”, ka thënë Ahmeti. /Telegrafi/