Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka realizuar dy operacione të ndara lidhur me veprat penale ‘trafikim me njerëz’, ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’ dhe ‘keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare’.
Gjatë këtyre dy operacioneve pesë persona të dyshuar kanë përfunduar nën pranga.
Tre persona prej tyre u arrestuan në Mitrovicë, dhe dy të tjerë në Prishtinë.
“Operacioni policor është realizuar pas një hetimi disamujor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ku veprimtarinë e trafikimit personat e dyshuar e kryenin në bashkëpunim edhe me të dyshuarën femër shqiptare, e cila ende nuk është arrestuar, por identiteti i saj është i njohur për Policinë.
Të dyshuarit e arrestuar për këtë rast janë: E. M (1998), E.M (1996), L.S (1992). Me vendim të prokurorit tre të dyshuarit e arrestuar ndalohen për 48 orë.
Me këtë rast është identifikuar edhe një viktimë e cila është trajtuar në bazë të procedurave standarde të veprimit për viktimat e trafikimit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq në rastin e dytë Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore pas një pune hetimore, në një lokacion të Prishtinës kanë identifikuar dhe kanë arrestuar dy të dyshuar, një femër dhe një mashkull shqiptar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit ushtronin veprimtarinë ilegale të prostitucionit.
Personat e arrestuar në këtë rast janë: H.D (1961) dhe H.Q (1944)
Pas intervistimit të të dyshuarve nga ana e hetuesve policorë të DHTQNJ-së këta të dyshuar me urdhër të gjykatësit kujdestar të divizionit për kundërvajtje janë dërguar në gjykatë me procedurë të shpejtë./Telegrafi/