Telegrafi

Arrestohen në Shqipëri disa aktivistë të Vetëvendosjes

Gjatë ditës së sotme është mbajtur një protestë në Thirrë të Shqipërisë kundër hidrocentralit në këtë zonë.

Ilaz Shehu, kandidati për deputet që garon si i pavarur, por i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që të lirohen aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje pasi sipas tij pas mbylljes së protestës, policia e shtetit ka ndjekur aktivistët në mënyrë tinëzare, duke i ndaluar më tej dhe duke i shoqëruar për në Komisariatin e Lezhës.

”Mbas mbylljes së protestës, dhjetra kilometra larg vendit të protestës policia e shtetit i ka ndjekur aktivistët në mënyrë tinëzare, duke i ndaluar më tej dhe duke i shoqëruar për në Komisariatin e Lezhës”, është shprehur Shehu, përmes një postimi në Facebook.

Postimi i Shehut:

“Lironi aktivistët!

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! sot iu bashkuan qytetarëve të Thirrës në protestën e tyre kundër HEC-it dhe kundër të gjithë HEC-eve nëpër Shqipëri, që në aleancë abuzive me qeverinë kanë përvetësuar pasuritë publike dhe po i shkatërrojnë ato.

Mbas mbylljes së protestës, dhjetra kilometra larg vendit të protestës policia e shtetit i ka ndjekur aktivistët në mënyrë tinëzare, duke i ndaluar më tej dhe duke i shoqëruar për në Komisariatin e Lezhës.

Ky pushtet nuk ka qenë kurrë më gabim se tani, kur krijon idenë se mund të na stepë me shoqërime dhe arrestime. Kjo ne na bën edhe më të vendosur për ta vazhduar më tej atë që kemi nisur.

Aktivistët janë krenaria jonë, të guximshëm, të fortë, të mençur e të pjekur; të vendosur përballë një pushteti në ikje, të panikosur, e që për të fshehur frikën ekspozon muskujt.

Nga ky pushtet nuk presim asgjë. Kurse Policisë së Shtetit i bëjmë thirrje që të mos vendoset në funksion të këtij pushteti.

Lironi aktivistët menjëherë!”,  ka shkruar Shehu. /Telegrafi/