Telegrafi

Arrestohen dy zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës në dy raste të ndara ka realizuar me sukses dy operacione hetimore në konsultim edhe me prokuroritë kompetente.

Si rezultat i hetimeve të suksesshme në të dy rastet janë arrestuar dy të dyshuar (dy zyrtarë policorë).

Arrestimi i parë është realizuar më 2 qershor ku efektivat e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar një të dyshuar (një toger policor në pozitën e zëvendës komandantit të Stacionit Policor të Dragashit) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Arrestimit i kanë paraprirë veprimet hetimore dhe informacioni i pranuar nga burimet e informacionit dhe me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e komandantit të këtij stacioni policor dhe shefit të operativës (toger policor).

Rasti tjetër (rasti i dytë) është realizuar më 5 qershor në Gjilan ku IPK-ja ka arrestuar një zyrtar policor (nga Stacioni Policor i Kllokotit) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar.

Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjilan me vendim të të cilit të dyshuarit (zyrtarit policor) i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe i njëjti po ashtu edhe është suspenduar.