Dy truprojat e ish-ministrit shqiptar të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri mësohet të jenë arrestuar pasi kërkoheshin ndërkombëtarisht për akuzën e trafikimit të drogës.
Hekuran Marku raportohet se u arrestua në Gjermani ndërsa Paul Deda i njohur ndryshe si Agustin Deda u arrestua në Francë.
Prokuroria e Posaçme shqiptare njoftoi se ka kërkuar ekstradimin e tyre në Shqipëri.
Ish-gardistet u arrestuan si pjesë e operacionit “Shpirti”, të realizuar në bashkëpunim me autoritetet italiane.
Gjyqi ndaj ish-ministrit Tahiri nisi me kërkesën e prokurorisë për 12 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Në shtator të vitit 2019, gjykata e rikualifikoi akuzën dhe e dënoi Tahirin me 5 vite burg për shpërdorim detyre, dënim që u kthye në 3 vite e 4 muaj shërbim prove për shkak të gjykimit të shpejtuar.
Ish-ministri e cilësoi vendimin të padrejtë dhe tha se betejën për pafajësi do ta vijonte deri në fund. Aktualisht Tahiri po pret vazhdimin e çështjes në Gjykatën e Lartë ku ka kërkuar rekurs të vendimit të Gjykatës së Apelit që vendosi gjykimin nga e para për të. /Euronews.al/