Policia e Kosovës ka arrestuar dy të rinj që dyshohet se kanë kryer vjedhur në disa lokacione në Komunën e Deçanit.
Përmes një komunikate për medie, nga policia kanë bërë të ditur se të dyshuarit “nga data 08.05.2021 e deri me datë 10.05.2021, dyshohet se kanë vjedhur ne disa lokacione ne komunën e Deçanit”.
“Stacioni Policor në Deçan, me datë 14.05.2021, pas një pune operativo-hetimore, ka
arritur të identifikoj dhe arrestoj dy (2) persona të dyshuar, për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhje”: F.I. i lindur me 1992, L.L. i lindur me 1999”, thuhet në komunikatë.
Të dyshuarit gjatë intervistimit nga hetuesit kanë pranuar se kanë kryer edhe disa vepra të tjera penale te vjedhjeve të rënda dhe vjedhjeve në zonën e përgjegjësisë së Stacionit Policor në Deçan.
“Në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit, disa nga sendet e vjedhura janë sekuestruar si dëshmi materiale. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve”, thuhet tutje në komunikatë. /Telegrafi/