Telegrafi

Arrestohen dy të dyshuar për bixhoz të paligjshëm në Skenderaj

Foto: Ilustrim

Polica e Kosovës ka njoftuar se të dielën në mengjes ka arrestuar dy persona të dyshuar për organizim të bixhozit të paligjshëm në Skenderaj.

Sipas Policisë, të arrestuarit janë B.SH., 32-vjeçar, pronar i një shtëpie, si dhe pronari i një automjeti S.B., 23-vjeçar, te dy shtetas të Republikës së Kosovës.

“Gjatë kontrollit, në podrumin e shtëpisë në fjalë janë hasur gjashtë persona të ulur për rreth një tavoline, 294 çipa për lojëra fati, tri palë letra bixhozi dhe një fletore xhepi për mbajtjen e evidencës së lojërave të fatit. Gjithashtu janë kontrolluar edhe shtatë automjetet që gjendeshin në oborrin e shtëpisë ku në njërën prej automjeteve është gjetur një sprej kimik dhe një shufër gome. Të gjitha gjësendet e gjetura janë sekuestruar dhe do të procedohen si prova materiale në procedurën e mëtejme”, thuhet në njoftim.

Pas procedurës së intervsitimit, ndaj pronarit të shtëpisë është iniciuar rasti për veprën penale ”Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” ndërsa ndaj pronarit të automjetit është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim te pa-autorizuar të armëve”.

Me urdhër të prokurorit të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.