Dy punonjës policie në Durrës akuzohen nga SPAK se kanë lënë të lirë një person të shpallur në kërkim, në shkëmbim të një shume prej 10 mijë euro.
Sipas Prokurorisë dhe SHÇBA-së, V.B. dhe G.LL., pjesë e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës më 10 gusht 2021, kanë arrestuar personin në kërkim A.M.
Ky person rezultonte i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë të ish-Gjykatës për Krime të Rënda, me 10 vjet e 6 muaj burgim.
Gjatë momentit që po e shoqëronin drejt Komisariatit të Policisë Durrës, efektivët kanë negociuar me personin në kërkim dhe e kanë lënë të lirë, në shkëmbim të marrjes prej tij të një shumë prej 10.000 euro.
Dy efektivët janë arrestuar tashmë dhe akuzohen për korrupsion. Gjithashtu, gjykata ka dhënë masë sigurie arrest me burg dhe për A.M., po për korrupsion.