Telegrafi

Arrestohen dy persona të dyshuar për veprën penale ‘falsifikim i parasë‘

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës konkretisht Sektori i Hetimeve të Krimeve Ekonomike – DHKEK, pas aplikimit të metodave dhe teknikave të avancuara të hetimit, mbështetur nga njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës, ka zhvilluar operacionin policor lidhur me planin operativ ‘100 euro’.

Sipas njoftimit për media gjatë këtij operacioni policor janë arrestuar dy persona të dyshuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale ‘falsifikim i parasë, vënie në qarkullim si të vërteta’.

Personat e dyshuar të arrestuar gjatë këtij operacioni janë: I. S. lindur me 1981 m/sh/k dhe F. B. lindur me 1993 m/sh/k.

“Gjatë operacionit policor janë sekuestruar treqind e nëntëdhjetë e tri (393) kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara prej njëqind euro (100€), vlera e të cilave arrin tridhjetë e nëntëmijë e treqind euro (39,300.00 €uro ). Me urdhër verbal të gjyqtarit, nga Gjykata Themelore në Pejë, janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast janë sekuestruar dy (2) telefona celularë, një automjet i tipit Golf V ngjyrë e zezë me targa vendore”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda dhe me aktvendim personi nr. 1 dërgohet në mbajtje për 48 orë, ndërsa personi nr.2 lirohet në procedurë të rregullt./Telegrafi/