Dogana e Kosovës ka njoftuar se, pas një hetimi preliminar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, janë arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shkelje të kodit doganor.
Sipas njoftimit, personat e arrestuar janë pronari i mallit dhe shoferi i kamionit, të cilët dyshohen se kanë kryer vepra të dënueshme.
“Pas hetimeve dhe mbledhjes së provave të mjaftueshme, u ndërmorën veprimet e arrestimit të këtyre persona të dyshuar për shmangie nga detyrimet doganore dhe heqje dhe dëmtimi i vulave zyrtare dhe dëmtimi i plombave”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të dyshuarit kanë kryer këto vepra të paktën në dy raste të veçanta. Në mënyrë të veçantë dyshohen për manipulimin e mallrave gjatë procedurave doganore, duke synuar shmangien e pagesës së detyrimeve doganore dhe shkeljen e sigurisë së plombave zyrtare të vendosura nga Dogana e Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të rastit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet e mëtejshme janë në zhvillim e sipër për të përcaktuar përmasat e plota të këtyre veprimeve, thuhet në njoftim. /Telegrafi/