Policia e Kosovës ka konfirmuar se janë arrestuar dy persona para fillimisht të ndeshjes mes Kosovës dhe Izraelit në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024.
Të dy personat u arrestuan nga organet e rendit shkaku që nuk kishin mjete identifikuese me vete, duke qenë kështu në kundërshtim me rregullat e vendosura për duelin.
Këtë gjë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, që ka deklaruar se të dy personat janë shoqëruar në stacionin policor.
“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante, po vazhdon angazhimet sipas planit operacional për mbarëvajtje dhe ofrim të sigurisë lidhur me ndeshjen sportive në mes të Kosovës dhe Izraelit”, ka thënë fillimisht ai.
“Gjatë realizimit të detyrave policore mund të konfirmojmë se dy persona meshkuj kosovarë, të cilët kanë rënë në kundërshtim me rregullat e parapara për hyrje në stadium, të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, për të vazhduar me procedurat e mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.
“Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm me policinë dhe njëherit vazhdon të kërkoj që të respektojnë rregullat e parapara, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive”, ka potencuar Kelani. /Telegrafi/