Dy persona janë prangosur dhe janë ndaluar për 48 orë, pasi të njëjtit dyshohet se në disa raste kanë futur substanca narkotike brenda në Burgut të Dubravës.
Në njoftimin për media Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda thotë se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për Hetimin e Trafikimit me Narkotik i policisë në Pejë, dhe në bashkëpunim me zyrtarë të Qendrës Korrektues të Burgut të Dubravës, janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë dy (2) persona të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nën dyshimin se të njëjtët vazhdimisht kanë futur narkotikë brenda Burgut të Dubravës.
“Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë fillimisht kishte pranuar informatë nga zyrtarët e Shërbimit Korrektues të Burgut të Dubravës se gjatë inspektimit (brenda hapësirave të burgut) kanë hasur me një qese me narkotikë të llojit marihuanë, në sasi prej 82 gramësh, e ndarë në 61 paketime të vogla”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
“Në koordinim me prokurorin e Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë rasti është iniciuar dhe është autorizuar Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Pejë për marrjen e veprimeve hetimore dhe, më 23 prill të këtij viti, si rezultat i vëzhgimit të fshehtë, janë identifikuar dy persona të dyshuar, ndërkaq të njëjtët në po atë ditë kishin hedhur në brendi të hapësirave të burgut sasi prej 38.4 gramë narkotikësh të llojit marihuanë”.
Më tej në njoftim thuhet se me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, njësitet përkatëse policore kanë zbatuar urdhrin e gjykatës, me ç’ rast janë bastisur dy lokacione – shtëpi të të dyshuarve dhe njëkohësisht janë sekuestruar mjete të cilat dyshohen se janë përdorur për t’u kryer kjo vepër penale.
“Prokurori i shtetit dy të dyshuar i ka ndaluar për 48 orë për veprën penale të lartcekur dhe brenda afatit ligjor do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/