Policia braziliane ka arrestuar pesë oficerë policie të dyshuar për përfshirje në një komplot grusht shteti që përfshinte plane për të rrëzuar qeverinë pas zgjedhjeve të vitit 2022 dhe për të vrarë presidentin aktual Luiz Inacio Lula da Silva, zëvendëspresidentin Gerald Alckmin dhe gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes. Katër policë ushtarakë dhe një polic civil janë arrestuar.
Sipas raportit të policisë, komploti arriti kulmin midis nëntorit dhe dhjetorit të vitit 2022 dhe përfshinte personel ushtarak të trajnuar posaçërisht në ushtri dhe një zyrtar të lartë në pension. Gjykatësi Alexandre de Moraes, i cili autorizoi arrestimet, tha se të dyshuarit planifikonin të parandalonin inaugurimin e një qeverie të zgjedhur në mënyrë legjitime dhe të minonin rendin demokratik dhe sistemin gjyqësor të Brazilit.
“Qëllimi ishte të parandalohej inaugurimi i qeverisë së zgjedhur dhe të minohej ushtrimi i lirë i demokracisë”, vuri në dukje de Moraes.
Përveç arrestimeve, policia ka ekzekutuar tre urdhër bastisje dhe sekuestrimi, të dyshuarve u ka konfiskuar pasaportat dhe ua ka ndaluar kontaktin me pjesëmarrësit e tjerë në konspiracion, shkruan cnn.
Arrestimet vijnë në kontekstin e deklaratave të mëparshme të dy komandantëve të lartë ushtarakë brazilianë, të cilët pretenduan se ish-presidenti, Jair Bolsonaro kishte propozuar një plan për të qëndruar në pushtet pas zgjedhjeve të vitit 2022, të cilat ai i humbi.
Sipas dokumenteve të gjykatës, të dy e refuzuan propozimin dhe e paralajmëruan Bolsonaron se ai do të arrestohej nëse do të përpiqej të zbatonte planin.
Bolsonaro, i cili shpesh akuzohet për nxitje të trazirave dhe destabilizimin e proceseve demokratike, është tashmë nën hetim për trazirat e 8 janarit 2023, kur mbështetësit e tij sulmuan dhe shkatërruan ndërtesat qeveritare në kryeqytetin Brasilia, një javë pas inaugurimit të Lula da Silva.
Presidenti Lula është njoftuar për arrestimet herët në mëngjes, por deri më tani nuk ka komentuar publikisht operacionin e policisë. Lula aktualisht po merr pjesë në finalen e samitit të G20 në Rio de Zhaneiro, ku pritet të ketë takime dypalëshe me presidentin amerikan, Joe Biden dhe liderë të tjerë botërorë.
Ndryshe, hetimet pritet të zbulojnë detaje shtesë në lidhje me kontekstin më të gjerë të komplotit dhe lidhjet e mundshme me ish-presidentin Bolsonaro. /Telegrafi/