Policia Rrugore e Tiranës ka vazhduar kontrollet me Drager për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo më keq akoma, në gjendje të dehur, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës.
Në orët e para të mëngjesit, Policia arrestoi një 47 vjeçar pasi u konstatua me Drager duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur në masën 0.66 mg/l.
Siç njofton Policia e Shtetit, gjatë dy netëve të fundjavës, janë arrestuar 14 drejtues mjetesh të cilët drejtonin mjetin ne gjendje të dehur, që varionte nga 0.56 mg/l deri në 1.14 mg/l.
Po ashtu, 37 patentë shoferë janë pezulluar për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Ndërsa, për shpejtësi mbi normat e lejuara gjatë dy netëve të fundjavës janë pezulluar 34 patenta.
Shpejtësia e këtyre shoferëve varionte nga 149 km/h deri në 181 km/h.