Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka arrestuar sot dy persona si të dyshuar se janë përfshirë në veprat penale ‘përvetësimi në detyrë dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.
Të dy personat e arrestuar janë zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët keqpërdorën shumën prej 132 mijë e 345 euro
Në një prononcim për Telegrafin, ministri Uran Ismaili ka folur më detajisht rreth arrestimit të dy zyrtarëve të ministrisë që ai e udhëheq dhe hapat që do të ndërmarr ndaj tyre.
Ismaili ka theksuar se lufta kundër korrupsionit është prioritet i tij si ministër.
“Lufta kundër korrupsionit, e kam thënë disa herë që prej kur kam marrë mandatin, do të jetë prioriteti im si ministër. Këtë e kemi dëshmuar edhe me luftën tonë që e kemi fituar kundër çmimit të barnave që ka blerë ministria shumëfish më shtrenjtë në të kaluarën. Sot, ne kemi rregulluar një sistem që blen barna në bazë të çmimeve referente të rajonit dhe që i kursen miliona euro buxhetit të shtetit.
Sa i përket arrestimeve,dua vetëm të sqaroj një gjë fillimisht. Dyshimet për keqpërdorime të avanseve datojnë për gjatë viteve të kaluara, para se unë të marrë detyrën. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se unë është dashur të qëndroj duarkryq. Prandaj ne kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë me të gjitha organet e rendit që kjo çështje të hetohet deri në fund dhe abuzimi me paratë e qytetarëve tanë të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Ismaili.
Më tej ai ka shpjeguar se menjëherë pas arrestimit të dy zyrtarëve, njëri prej tyre i cili ka qenë në marrëdhënie pune, do të pezullohet.
“Po sigurisht që kemi reaguar menjëherë. Zyrtar i cili ka qenë në marrëdhënie pune do të pezullohet ndërsa do të t’i ofrojmë të gjithë bashkëpunimin e mundshëm organeve të rendit për ta hetuar rastin deri në fund”, u shpreh ministri Ismaili.
Ismaili ka thënë se do të jenë të pakompromis në luftimin e korrupsionit brenda Ministrisë së Shëndetësisë.
“Do të jemi të pakompromis. Lufta ndaj korrupsionit është e pakthyeshme. Do ta godasim kudo që ta takojmë. Tek barnat, tek shërbimet shëndetësore, e aq më tepër tek zyrtarët institucional. Kjo është rruga e vetme që do ta ndjekim sepse është e drejtë dhe në dobi të qytetarëve tanë. Për këtë ju siguroj ju dhe të gjithë qytetarët tanë”, tha Ismaili.
Kujtojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas intervistimit të zyrtarëve të dyshuar me aktvendim të prokurorit u ka ckatuar masën e ndalimit për 48 orë. /Telegrafi/