Një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës me kombësi serbe është arrestuar në Serbi.
Ndalimi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, është bërë “me qëllim të vërtetimit të fakteve dhe kontrolleve të nevojshme lidhur me sigurinë e Republikës së Serbisë”.
Përveç kësaj, nuk ka asnjë informacion tjetër zyrtar për arrestimin e Jankoviqit në Beograd.
Por, kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq, tha se supozon se “populli më në fund iu përgjigj thirrjeve” për të mbrojtur rendin kushtetues të Serbisë.
“Pres lëvdata nga bashkësia ndërkombëtare për anëtarët tanë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe për prokurorinë tonë dhe të gjitha institucionet përkatëse”, tha Brnabiq.
Tri ditë para arrestimit të policit të Kosovës, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se të gjithë ata që e shkelin rendin kushtetues të vendit do të “ndiqen penalisht dhe arrestohen”.
“Të gjithë ju që e shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që merrni pjesë në të në çfarëdo mënyre, me protesta, demonstrata, në çfarëdo mënyre – do të përgjigjeni për të, do të përgjigjen të gjithë shqiptarët që marrin pjesë në të”, tha Vuçiq më 14 prill në një ceremoni ushtarake në Beograd.
Njoftimin e Vuçiqit për arrestimin e të gjithë atyre që shkelin rendin kushtetues të Serbisë, Qeveria e Kosovës e sheh si “paralajmërim dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për komunitetin shqiptar në Serbi, si dhe për qytetarët e Kosovës që kalojnë nëpër Serbi”.
Dushan Janjiq, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Etnike nga Beogradi, thotë për Radion Evropa e Lirë se arrestimi i zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës do ta thellojë edhe më shumë krizën në marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
“Kur arrestohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës dhe merr përgjigje cinike (nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiq) – urime, ky është një politizim”, thotë Janjiq.
Dejan Jankoviq është nga Shtërpca, një nga gjashtë komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, dhe është i punësuar në Policinë e Kosovës që nga viti 2000. Prej vitit 2009 mban postin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm në Policinë e Kosovës.
Gjatë së mërkurës, autoritetet në Prishtinë thanë se 10 zyrtarë policorë të Kosovës janë ndaluar në Serbi, porse tashmë vetëm zëvendësdrejtori Jankoviq ende është duke u mbajtur i ndaluar për 48 orë.
Jankoviq nuk do të mund të ishte zëvendësdrejtor i Policisë, siç tha Dushan Janjiq, nëse nuk do ta kishte kaluar kontrollin e sigurisë në Kosovë.
“Këtu e kemi atë problem. Kontrollin e sigurisë e kanë bërë autoritetet e Kosovës në bazë të informacioneve të Serbisë në bashkëpunim me EULEX-in. Pra, gjithçka është duke kërcitur”, thotë Janjiq.
Veprat penale kundër rendit kushtetues përcaktohen me Kodin Penal në Serbi, thotë profesoresha e drejtësisë, Vesna Rakiq-Vodineliq. Ajo shpjegon për REL se një nga mënyrat është keqpërdorimi i autoritetit.
“Vepra e dytë penale që mund të jetë shkelje e rendit kushtetues mund të jetë tradhtia, e treta, për shembull, kapitullimi, sulmi antikushtetues ndaj rendit kushtetues e kështu me radhë”, thekson ajo.
Më 17 prill, autoritetet e Kosovës njoftuan se edhe shtetasit e Kosovës që ishin duke kaluar transit, janë ndaluar në disa pika kufitare në Serbi “pa asnjë shpjegim”, ndërsa MPB-ja e Serbisë pretendoi se bëhej fjalë për “kontroll të intensifikuar dhe kontrolle të sigurisë për të gjithë pasagjerët”.
Ajo shton se shkeljet e rendit kushtetues nuk duhet të sjellin vetëm përgjegjësi penale, por edhe përgjegjësi politike për vendimet që merren, të cilat cenojnë rendin kushtetues, “siç është shkelja e betimit të dhënë nga zyrtarë të ndryshëm se do të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin”.
Ajo shpjegon se “më të rrezikuarit për të shkelur rendin kushtetues janë ata që janë në krye të shtetit”.
Siç thotë Rakiq-Vodineliq, një nga shkeljet e Kushtetutës është shkelja e parimit të ndarjes së pushteteve, kur ato vendime i merr dikush që nuk është i autorizuar për të marrë vendime të caktuara.
Ajo sheh shkelje të rendit kushtetues në vetë deklaratën e Vuçiqit.
“Ai tha se nga java e ardhshme prokuroria dhe policia do të fillojnë të bëjnë punën e tyre. Së pari nga e di këtë kur bëhet fjalë për organet ekzekutive që janë të pavarura nga autoriteti dhe urdhrat e presidentit të republikës dhe e dyta, pyetja është pse nuk e kanë bërë deri më tani”, tha ajo.
Ajo beson se kuptimi i gjithë kësaj është “tregimi i muskujve” dhe kërcënimi me “autoritarizëm edhe më të madh”.
Tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kosovës kanë ndodhur në prag të votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill, për rekomandimin që Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate.
Vendimi duhet të konfirmohet nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, në mes të majit.
Edhe para këtij vendimi, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, nën lehtësimin e Bashkimit Evropian, ka ngecur, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për mospërmbushje të obligimeve nga Marrëveshja e Ohrit.
Kjo marrëveshje u arrit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fillim të vitit 2023 në Ohër, të cilët ranë dakord për hapat drejt normalizimit të marrëdhënieve.