Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar ndaj arrestimit nga autoritetet serb në vendkalimin kufitar në Jarnjë të Zëvëndësdrejtorit të Policisë së Kosovës.
Krasniqi, ka thënë se arrestimi i zëvendësdrejtorit të Policisë, Dejan Jankoviq dhe disa zyrtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb është prova më e qartë e pozicionit hipokrit të Serbisë.
“Republika e Kosovës në kuadër të drejtave të avansuara për komunitete joshumicë e ka ndër të tjera të përcaktuar që zv.drejtorin e Policisë ta ketë nga radhët e komunitetit serb”, ka shkruar Krasniqi në Facebook, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka thënë se “Serbia rrejshëm ankohet për të drejta të serbëve në Kosovë, ajo pikërisht arreston, maltreton e kërcënon secilin serb që shfrytëzon të drejtat e tij në Kosovë e integrohet në vendin e tij”.
“Rasti i sotëm i ndalimit nga Serbia të zv.drejtorit Jankoviq dhe disa zyrtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb është prova më e qartë e pozicionit hipokrit të Serbisë”, ka shkruar ai.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është ndaluar nga autoritetet serbe të mërkurën, njoftoi në rrjetet sociale Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas informatave brenda institucioneve të sigurisë së Kosovës, Jankoviq – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – është ndaluar në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe është dërguar për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë.
Zulfaj tha gjithashtu se autoritetet serbe i kanë nisur “arrestimet masive” pas votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe se po i mbajnë “peng të gjithë”.
Nadalimi i Jankoviqit vjen në të njëjtën ditë kur Ministria e Jashtme e Kosovës tha të mërkurën herët se Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.
Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar si “të pabaza” akuzat e autoriteteve kosovare se ajo ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj. /Telegrafi/