Seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa do të zhvillohet të mërkurën në orën 8:30.
Gjykata e Posaçme njoftoi se procedimi ndaj Veliajt dhe të tjerëve ka nisur në vitin 2024.
SPAK e akuzon të zgjedhurin tri herë si kryebashkiak për “korrupsion” në 9 raste dhe për “pastrim të parave”. Pa pranga në duar, Veliaj iu bind agjentëve të BKH dhe zyrtarëve të policisë për të shkuar me ta. Ai përdori mjetin e tij elektrik për të shkuar drejt bllokut të sigurisë, në qelitë e të cilit do të qëndrojë të paktën deri në përballjen me Gjykatën e Posaçme për verifikimin e masës.
I njëjti vendim gjyqësor miratoi një masë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa. Ajo akuzohet për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “mosdeklarim të pasurisë”. Vendimi ndaj saj nuk u ekzekutua, për shkak se Xoxa ndodhet në Itali.
SPAK bindi gjykatën edhe për një masë sigurie “arrest në burg” për biznesmenin Elman Abule dhe masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” për biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, të akuzuar për “korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë”. /Telegrafi/