Qendra e Prishtinës e Lëvizjes Vetëvendosje përmes një reagimi publik thotë se me vëmendje dhe shqetësim të madh është duke i ndjekur zhvillimet e fundit në Kryeqytet, ku zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë subjekt i hetimeve e ndalimeve nga organet përgjegjëse shtetërore.
Në reagimin e LVV-së thuhet Komuna e Prishtinës është zhytur në kaos ligjor, transmeton Telegrafi.
“Arrestimi i Shefit të personelit të Komunës së Prishtinës, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryetarit Rama, ish-asamblisti dhe anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, z.Fadil Aliu – Hërtica, arrestimi i ish-Drejtorit të Qendres për Punë Sociale të Prishtinës, z.Vehbi Mujku, i dorëhequr ditë më parë, arrestimi i shefes së Njësisë së Shërbimeve Sociale, Znj.Valbona Makiqi, si dhe intervistimi i Nënkryetarit të Prishtinës, z.Alban Zogaj, është dëshmia më e mirë dhe e pakontestueshme e kaosit ligjor në të cilin është zhytur Komuna e Prishtinës”, thuhet në reagim.
Tutje, LVV thotë se si opozitë kanë ngritur vazhdimisht zërin për parregullsitë dhe shkeljet ligjore në kryeqytet.
“Si opozitë lokale vazhdimisht kemi ngritur zërin për parregullsitë dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin tash e dy vjet në çdo segment të qeverisjes në Kryeqytet. Prishtina tani, nën qeverisjen LDK-PDK, është shndërruar në qytet kampion për paligjshmëri, padrejtësi e anarki. Nuk ka dyshim se përgjegjësia kryesor për këtë gjendje bie mbi të parin e Kryeqytetit, Përparim Ramën, për shkak të veprimeve të tij paligjshme, e të cilat tashmë çdo ditë po shpërfaqen në opinion”, vijon reagimi.
LVV shton tutje se “jemi të bindur se për rastin e arrestimeve të fundit, nuk bëhet fjalë për veprime individuale të personave të caktuar, tani të arrestuar e intervistuar, por kemi të bëjmë me veprimtari kriminale të koordinuar e organizuar në hierarki të pushtetit lokal në Prishtinë”.
LVV ka kërkuar nga organet e drejtësisë të merren me rastin.
“Kërkojmë nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë që rastin në fjalë, por edhe rastet e tjera të sinjalizuara e të denoncuara, t’i trajtojnë me prioritet e profesionalizem maksimal dhe t’i sjellin para përgjegjësisë të gjitha ata që në çfarë do mënyrë kanë vepruar në kundërshtim me ligjin e për interesa personale e partiake, familjare e klanore.
Nepotizmi, korrupsioni, keqpërdorimet, hajnia, paligjshmëria e pabarazia nuk janë as të pranueshme e as të lejueshme. Prishtina dhe qytetarët e Prishtinës duan dhe meritojnë qeverisje të pastër e të drejtë”, shton tutje LVV, dega në Prishtinë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi të premten se ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave, V.M. dhe V.M., nën dyshimin se të njëjtit në cilësinë e zyrtarëve të lartë të Qendrën për Punë Sociale në kryeqytet kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërsa, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka konfirmuar se është intervistuar pasditen e kësaj të premte nga Policia e Kosovës në cilësinë e dëshmitarit.
Ai ka bërë të ditur se intervistimi i tij është bërë lidhur me rastin e ndalimit të tre zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Ky rast ndërlidhet me nënshkrimin e disa kontratave mbi vepër, të cilat ne si qeverisje i kemi trashëguar nga qeverisja e kaluar. Sipas kërkesave të drejtorive përkatëse, këto kontrata mbi vepër kanë qenë pozicione të domosdoshme për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar Zogaj në Facebook. /Telegrafi/