Prokuroria Speciale e Kosovës të premten ka njoftuar se është arrestuar një femër e dyshuar për kryerjen e veprës penale, spiunazh.
E dyshuara është nga radhët e komunitetit serb.
E lidhur me këtë ka reaguar sot njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami.
Ai në një postim në Facebook shkruan se rasti në fjalë konfirmon gatishmërinë dhe efikasitetin e institucioneve të sigurisë, të cilat në mënyrë të pandërprerë monitorojnë dhe analizojnë veprimtaritë që mund të cenojnë sovranitetin dhe stabilitetin e vendit.
“Arrestimi nuk është thjeshtë një veprim i izoluar, por pjesë e një angazhimi sistematik për të mbrojtur institucionet dhe rendin kushtetues nga çdo tentativë për depërtim të paligjshëm nga brenda apo nga jashtë vendit.
Ky zhvillim është gjithashtu një sinjal i qartë për çdo individ apo rrjet që synon të veprojë në dëm të interesave të Kosovës. Reagimi i shpejtë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve tregon se sistemi mbrojtës funksionon dhe është i aftë të ndërhyjë në kohë për të parandaluar rreziqe më të mëdha”, shkuan ai. /Telegrafi/