Site icon Telegrafi

Arrestimi i spiunëve, Limaj: UDB-ja në Kosovë është e zgjeruar në nivele të larta

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas arrestimit të Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, nën dyshimet se kanë bashkëpunuar me Shërbimin e Inteligjencës së Serbisë (BIA).

Limaj ka thënë se këto arrestime nuk janë asgjë e pazakontë, pasi shërbimet e shtetit të Kosovës ballafaqohen me këso arrestime.

“Për mua asgjë nuk është e pazakontë. Shërbimet tona të sigurisë janë në beteja të përditshme. Vetëm këtë herë është ndryshe, pasi është bërë publik arrestimi i tyre. Përndryshe nuk është diçka e pazakontë”, tha Limaj, për Kanal10, duke shtuar se UDB-ja në Kosovë është e zgjeruar dhe zhvilluar në nivele shumë të larta.

Policia e Kosovës sot ka dhënë disa detaje të reja për rastin e arrestimit të Shabanit dhe Qerimit në Ferizaj.

Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska dhe gaz-maska ushtarake.

Lexo po ashtu Publikohet audio e bisedës në mes të oficerit të BIA-s dhe të dyshuarit për spiuanazh, Bedri Shabani

Prokuroria Speciale ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.

Ndryshe, portali “The Geopost” sot ka publikuar një audio-incizim, ku dëgjohen duke biseduar Srdjan Rosiq dhe Bedri Shabani- i dyshuar për spiunim.

Megjithëse, audio në disa pjesë është e censuruar, aty kuptohet qartë se Bedri Shabani, i dyshuar për bashkëpunëtor të shërbimit serb të inteligjencës se, kërkon që BIA t’i ndihmojë atij dhe njerëzve të tij që ta kryejnë një punë.

Në një nga këto komunikime, Shabani dëgjohet duke kritikuar organizatorët serbë për amatorizëm dhe sugjeron përfshirjen e tij për një organizim më profesional.

Exit mobile version